Çitaku: Tri presidente, por ende larg barazisë së vërtetë
Zgjedhja e tri grave presidente nuk mjafton për barazi të vërtetë nëse gratë ende përballen me dhunë dhe frikë, vlerësoi nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Vlora Çitaku, pas…

Zgjedhja e tri grave presidente nuk mjafton për barazi të vërtetë nëse gratë ende përballen me dhunë dhe frikë, vlerësoi nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Vlora Çitaku, pas vrasjes së një gruaje dhe vëllait të saj në Livoç të Ulët të Gjilanit.
Në reagimin e saj, Çitaku tha se fuqizimi i grave duhet të matet edhe me lirinë dhe sigurinë e tyre, përtej përfaqësimit në poste të larta institucionale.
“Kemi zgjedhur tri gra Presidente. Krenohemi me arritjet tona dhe i themi vetes se kemi bërë shumë për fuqizimin e grave. Por vjen një goditje si kjo dhe e kupton sa larg jemi ende nga barazia e vërtetë, sa shumë punë kemi përpara dhe sa thellë janë rrënjosur ende mendësitë që e cenojnë jetën, lirinë dhe dinjitetin e gruas”, ka shkruar ajo.
Çitaku kërkoi që viktimat të mos fajësohen dhe krimi të mos relativizohet. “Asnjë motiv nuk e arsyeton dhunën. Asnjë rrethanë nuk e justifikon vrasjen”, theksoi ajo.
Sipas Policisë së Kosovës, në ngjarjen e së premtes u vranë dy persona dhe një tjetër u plagos me armë zjarri. I dyshuari është vetëdorëzuar në polici, ndërsa motivi ende nuk dihet.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


