Rrahmani paralajmëron pengimin e Kodit Civil për bashkësitë civile
Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, paralajmëroi në Kuvend se do të përpiqet ta pengojë miratimin e Kodit Civil, duke kundërshtuar dispozitën që do t’i hapte rrugë një ligji të posaçëm…

Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, paralajmëroi në Kuvend se do të përpiqet ta pengojë miratimin e Kodit Civil, duke kundërshtuar dispozitën që do t’i hapte rrugë një ligji të posaçëm për regjistrimin e bashkësive civile ndërmjet personave të së njëjtës gjini.
Rrahmani pretendoi se Kodi e cenon familjen dhe e pyeti kryeministrin Albin Kurti pse po e vazhdon këtë nismë pavarësisht kundërshtimeve të mëparshme.
Kurti e mbrojti nevojën për reformën civile dhe tha se mbrojtja e familjes është pjesë thelbësore e saj. Ai kundërshtoi përqendrimin e debatit vetëm në dy nene, duke theksuar se dokumenti ka 997 faqe dhe 1630 nene.
“Ju i rilexoni pafundësisht veç nja dy. Provoni edhe këto tjerat. Ky është një sugjerim dashamirës i imi”, tha Kurti.
Qeveria synon ta bëjë Kodin gati për miratim në Kuvend deri më 15 nëntor. Dispozita e kundërshtuar do të mundësonte hartimin e një ligji të veçantë për bashkësitë civile; ajo nuk përbën vetë miratimin e këtij ligji.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


