Qelaj për Arlindën: Përgjegjësia prek edhe institucionin e tij
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, të gjitha hallkat e shtetit duhet të shqyrtojnë përgjegjësitë e tyre, përfshirë institucionin që…

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, të gjitha hallkat e shtetit duhet të shqyrtojnë përgjegjësitë e tyre, përfshirë institucionin që ai drejton.
Në emisionin “Debat Plus” në Dukagjin, Qelaj e vendosi përgjegjësinë kryesore te Policia dhe sistemi i drejtësisë, si autoritete përgjegjëse për sigurinë dhe jetën e qytetarëve. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk i përjashton institucionet e tjera nga shqyrtimi i veprimeve që kanë ndërmarrë për parandalimin e rasteve të tilla.
Ai tha se deklaratat e tronditjes duhet të shoqërohen me reflektim mbi ushtrimin e kompetencave dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Për rastin konkret, Qelaj tha se, me sa dinte, institucioni i tij nuk kishte pranuar më parë ankesë nga Zekaj. Ai sqaroi se nuk mund të pohonte se një ankesë te Avokati i Popullit do ta kishte ndryshuar rrjedhën e rastit.
Duke folur për dhunën në familje, Qelaj përmendi mbi 2.500 raste të raportuara dhe paralajmëroi se shifrat nuk e pasqyrojnë domosdoshmërisht të gjithë përmasën e dhunës, pasi një pjesë mbetet e paraportuar.
“Por mekanizmat kanë dështuar”, deklaroi ai.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


