Nrecaj: Investimet e vonuara ua shtojnë familjeve shpenzimet
Mungesa e çerdheve publike i shtyn prindërit drejt kopshteve private dhe ua rrit shpenzimet familjare, sipas Albulena Nrecajt nga organizata Iniciativa për Progres (INPO), e cila e lidh këtë problem…

Mungesa e çerdheve publike i shtyn prindërit drejt kopshteve private dhe ua rrit shpenzimet familjare, sipas Albulena Nrecajt nga organizata Iniciativa për Progres (INPO), e cila e lidh këtë problem me mosrealizimin e investimeve kapitale.
Në podkastin “5 Pyetje” të Radios Evropa e Lirë, Nrecaj përmendi edhe përvojën personale: “Unë jam nënë vetë dhe detyrohem që fëmijën tim ta dërgoj në kopsht privat, i cili edhe kushton, edhe nuk më ofron kushtet që do të duhej t’i ofronte një kopsht publik”.
Duke komentuar realizimin e vetëm 18 për qind të buxhetit për investime kapitale në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, ajo tha se pak projekte kishin procedura të nisura për zbatim. Sipas saj, shuma e shpenzuar përfshin edhe pagesa të detyrimeve ligjore përmes procedurave përmbarimore dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht vetëm investime të reja.
Nrecaj renditi si pengesa planifikimin e mangët, keqmenaxhimin e kontratave dhe vështirësitë me shpronësimet. Ajo kritikoi përfaqësuesit politikë që premtojnë spitale, rrugë e shkolla pa analizuar mjaftueshëm realizueshmërinë e projekteve.
Sipas saj, vonesat ua shtyjnë qytetarëve marrjen e shërbimeve të premtuara dhe u kufizojnë bizneseve mundësitë për punë.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


