Politikë

Mosfunksionalizimi i Kuvendit rrezikon vazhdimin e licencave të termocentraleve më 4 tetor

Licencat e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B skadojnë më 4 tetor, ndërsa vazhdimi i tyre kërkon funksionalizimin e Bordit të ZRRE-së.

Dëgjo artikullin 2 min
Pamje nga një inspektim në Korporatën Energjetike të Kosovës

Licencat e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B” skadojnë më 4 tetor, ndërsa vazhdimi i tyre mbetet i lidhur me funksionalizimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

ZRRE-ja ka bërë të ditur se, pa vazhdimin e licencave, Korporata Energjetike e Kosovës nuk ka bazë ligjore për të vazhduar prodhimin. Institucioni nuk ka sqaruar ende nëse kjo do të nënkuptonte ndërprerje të menjëhershme pas skadimit të afatit.

KEK-u i ka dorëzuar aplikacionet për vazhdimin e licencave, por ZRRE-ja thotë se pa kuorumin ligjor të Bordit nuk mund të merret vendim përfundimtar për to.

Emërimi i anëtarëve të Bordit kërkon që procedura të kalojë nga Qeveria dhe të përfundojë me votim në Kuvend. Ministria e Ekonomisë ka thënë se lista e kandidatëve do të dërgohet pasi të plotësohen kushtet ligjore, përfshirë konstituimin e Kuvendit.

Të dhënat e ZRRE-së tregojnë se gjatë vitit 2025 termocentralet e KEK-ut prodhuan 4.687 gigavat-orë energji, mbi 88 për qind të prodhimit vendor prej 5.298 gigavat-orësh, ndërsa kërkesa e përgjithshme arriti në 6.944 gigavat-orë.

Një ndërprerje eventuale do ta rriste varësinë nga importi. Eksperti Ethem Çeku ka paralajmëruar se një skenar i tillë mund të krijojë kosto prej qindra miliona eurosh, ndërsa gjatë vitit 2025 Kosova shpenzoi rreth 240 milionë euro për import të energjisë.

Scroll To Top