Kos: Ndryshimet për Specialen shkelin detyrimet ndaj BE-së
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së dhe i cilësoi ato si të…

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së dhe i cilësoi ato si të papranueshme.
Duke folur më 12 tetor në Luksemburg, para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, Kos kundërshtoi ndryshimin e rregullave ligjore ndërsa proceset gjyqësore vazhdojnë. Sipas saj, kjo bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
“Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, tha ajo.
Kuvendi i Kosovës i miratoi javën e kaluar ndryshimet e propozuara nga PDK-ja. Ato parashohin kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, uljen e dënimit maksimal në 15 vjet, mundësinë e ankimimit në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.
PDK-ja e kundërshton vlerësimin e BE-së. Deputeti Përparim Gruda ka thënë se ndryshimet nuk shkelin detyrimet ndërkombëtare dhe se synimi është kufizimi i mandatit të gjykatës, jo mbyllja e saj.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


