Konjufca sfidon pretendimin e Serbisë për paqe
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Serbia nuk mund të pretendojë se synon paqen dhe integrimin evropian ndërsa zyrtarët e saj sfidojnë sovranitetin e Kosovës dhe Milan…

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Serbia nuk mund të pretendojë se synon paqen dhe integrimin evropian ndërsa zyrtarët e saj sfidojnë sovranitetin e Kosovës dhe Milan Radoiçiq shfaqet publikisht pranë familjes së presidentit serb.
Në postimin e tij në X, Konjufca iu referua deklaratës së zëvendëskryeministrit serb Ivica Daçiq se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”. Ai e cilësoi këtë retorikë si shfaqje të ambicieve territoriale të Beogradit ndaj Kosovës.
Ministri përmendi edhe shfaqjen e Radoiçiqit pranë Danilo Vuçiqit në tubimin e partisë së Aleksandar Vuçiqit në Kragujevc. Sipas Konjufcës, Radoiçiq kërkohet nga Interpoli për sulmin në Banjskë që ai e organizoi.
“Këto nuk janë provokime të izoluara”, shkroi Konjufca, duke i lidhur zhvillimet me atë që e quajti ekspansionizëm territorial në retorikë dhe pandëshkueshmëri për agresion të armatosur në praktikë.
Konjufca i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i dënojë këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie. “Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm, e po ashtu as drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë”, shkroi ai.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


