Gashi lë pozitat në LDK për mosvotimin për Specialen
Xhafer Gashi, ish-kryetar i Obiliqit dhe kryetar i Degës së LDK-së në këtë komunë, njoftoi dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha pozitat e tij në parti. Në postimin e tij,…

Xhafer Gashi, ish-kryetar i Obiliqit dhe kryetar i Degës së LDK-së në këtë komunë, njoftoi dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha pozitat e tij në parti. Në postimin e tij, ai e lidhi vendimin me mosvotimin nga LDK-ja të projektligjit për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Gashi tha se dorëheqja përfshin funksionet e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm, anëtarit të Kryesisë dhe kryetarit të Degës së LDK-së në Obiliq. Sipas tij, qëndrimi i partisë për këtë çështje bie ndesh me ndërgjegjen e tij dhe përgjegjësinë ndaj njerëzve që përfaqëson.
“Heshtja ime do të rëndonte më shumë se largimi”, shkroi Gashi.
Ai tha se mosvotimi kishte shkaktuar indinjatë tek anëtarësia e degës dhe grupi i asambleistëve. Megjithatë, e përcaktoi dorëheqjen si vendim personal, duke theksuar se secili bashkëpunëtor dhe anëtar i degës ka të drejtë të vendosë sipas ndërgjegjes së vet.
Në të njëjtin postim, Gashi shprehu mbështetje për protestat paqësore dhe vigjilet para Kuvendit. Ai theksoi gjithashtu se përgjegjësia për veprimet duhet të përcaktohet individualisht, mbi prova dhe në një proces të paanshëm.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


