Thaçi për Specialen: Tani jam duke paguar çmimin në lëkurën time
Ish-presidenti Hashim Thaçi ka folur nga Haga për arsyet e krijimit të Gjykatës Speciale, duke thënë se Kosova zgjodhi të keqen më të vogël.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për herë të parë pas një periudhe të gjatë për krijimin e Gjykatës Speciale.
Në një intervistë për Top Channel nga Haga, Thaçi ka rrëfyer arsyet që çuan Kosovën drejt këtij vendimi. Ai tha se vendi ishte “mes dy zjarreve” dhe se zgjedhja e bërë në atë kohë ishte “e keqja më e vogël”.
“Kosova ishte midis dy zjarresh: të themelonte gjykatën bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë, ose të lejonte formimin e saj nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. U përcaktuam për të keqen më të vogël për Kosovën. Kështu e evituam Rusinë dhe Kinën nga procesi; sikur të ndodhte e kundërta, do të ishte një kthim prapa për Kosovën në kuptimin legal, politik dhe historik”, u shpreh Thaçi.
Ai tha se nuk mund dhe nuk dëshiron të flasë për rrethanat thelbësore që çuan në formimin e kësaj gjykate dhe për ecurinë e mëvonshme të procesit.
“Isha i zotuar nga ana ime të mos i ndodhte asgjë e keqe Kosovës. Tani jam duke paguar çmimin në lëkurën time. Por, kapërcehet edhe kjo vështirësi”, tha Thaçi.