Subvencionimi i rrymës: Kush përfiton nga programi shtetëror
Familjet me të ardhura mesatare mujore deri në 150 euro për anëtar dhe patundshmëri me vlerë të përgjithshme deri në 100 mijë euro mund të aplikojnë për subvencionimin e faturave…

Familjet me të ardhura mesatare mujore deri në 150 euro për anëtar dhe patundshmëri me vlerë të përgjithshme deri në 100 mijë euro mund të aplikojnë për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike, nëse plotësojnë edhe kushtin e shtetësisë ose qëndrimit të përhershëm, sipas Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Ministria njofton se aplikimet për Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027 janë hapur më 19 tetor dhe do të pranohen deri më 31 mars 2027. Kriteret duhet të plotësohen njëkohësisht dhe të ardhurat vlerësohen për 12 muajt e fundit.
Të gjithë anëtarët e familjes duhet të jenë shtetas të Kosovës me banim të përhershëm në vend ose shtetas të huaj me leje qëndrimi të përhershëm në Kosovë. Programi mbulon familjet që e përdorin energjinë elektrike për nevoja të amvisërisë.
Subvencionimi nis nga muaji i miratimit të aplikimit dhe nuk zbatohet në mënyrë retroaktive. Për këtë arsye, ministria rekomandon aplikimin sa më herët.
Aplikimi bëhet nga një anëtar i familjes përmes platformës eKosova, në kategorinë “Familja”, dhe mund të lidhet vetëm me një njehsor elektrik. Familjet që nuk mund të aplikojnë elektronikisht mund të kërkojnë ndihmë në Qendrat për Punë Sociale.
Sipas ministrisë, institucionet do t’i verifikojnë të dhënat e deklaruara. Të dhënat e pasakta ose të paplota mund të sjellin refuzimin e aplikimit ose detyrimin për kthimin e mbështetjes së përfituar.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


