Studentët në Francë paralajmërojnë bllokime, masat qeveritare s’i bindin
Përfaqësuesit studentorë në Francë kanë paralajmëruar bllokime të shkollave dhe universiteteve, duke i cilësuar të pamjaftueshme masat e qeverisë për arsimin dhe duke kërkuar kushte më të mira mësimi. Pierre…

Përfaqësuesit studentorë në Francë kanë paralajmëruar bllokime të shkollave dhe universiteteve, duke i cilësuar të pamjaftueshme masat e qeverisë për arsimin dhe duke kërkuar kushte më të mira mësimi.
Pierre Sourzat, drejtues i grupimit “Lycéens!”, tha për televizionin RMC se disa shkolla do të bllokohen të hënën, pas kthimit nga pushimet dyjavore, ndërsa të martën pritet përshkallëzim i protestave.
“Ne mbështesim të gjithë bashkëmoshatarët tanë që do të bllokojnë shkollat që nesër”, deklaroi ai.
Përfaqësuesja e Unionit Studentor, Sabrine Kharbach, ka paralajmëruar gjithashtu bllokime të martën dhe të enjten.
Qeveria ka propozuar ndryshime në sistemin e pranimit në universitete dhe financim për rikonstruksionin e shkollave. Protestuesit kërkojnë më shumë vende në universitete dhe ulje të numrit të nxënësve në të gjitha klasat, jo vetëm në vitin e parë të shkollës së mesme.
Presidenti Emmanuel Macron u ka bërë thirrje të rinjve që mësimi të rifillojë normalisht, duke thënë se kërkesat e tyre janë dëgjuar. Sourzat e kundërshtoi këtë qëndrim, duke thënë se qeveria nuk i ka marrë seriozisht shqetësimet e tyre.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


