Paca heq një hap për nisjen e hetimeve speciale
Prokurorët specialë në Kosovë mund të kërkojnë drejtpërdrejt numrin për regjistrimin e lëndës për nisjen e hetimeve sipas detyrës zyrtare, pa autorizim paraprak nga Kryeprokurori, sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale…

Prokurorët specialë në Kosovë mund të kërkojnë drejtpërdrejt numrin për regjistrimin e lëndës për nisjen e hetimeve sipas detyrës zyrtare, pa autorizim paraprak nga Kryeprokurori, sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të 20 tetorit.
Vendimin e ka marrë ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, Dren Paca, përmes ndryshimit dhe plotësimit të Udhëzuesit për veprimtarinë ditore të Zyrës së Regjistrit. Me procedurën e re, prokurorët mund t’i drejtohen vetë kësaj zyre për të marrë numrin e lëndës.
Sipas institucionit, ndryshimi eliminon një hap administrativ dhe synon t’ua lehtësojë prokurorëve inicimin e hetimeve për veprat penale që bien në kompetencën e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria e lidh vendimin me kompetencat dhe pavarësinë funksionale të prokurorëve, duke theksuar se synon edhe t’i nxisë ata të iniciojnë hetime sipas detyrës zyrtare.
Në njoftim, institucioni rithekson përkushtimin për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për hetimin e veprave të tjera brenda kompetencës së tij, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


