Ministria: Asnjë nxënës nuk mund të detyrohet të protestojë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës tha se ka marrë informacione dhe dëshmi për njoftime në grupe prindërish në rrjete sociale, ku pjesëmarrja e maturantëve në protestën e 5 tetorit në…

Ministria e Arsimit dhe Shkencës tha se ka marrë informacione dhe dëshmi për njoftime në grupe prindërish në rrjete sociale, ku pjesëmarrja e maturantëve në protestën e 5 tetorit në mbështetje të UÇK-së paraqitej si e detyrueshme. Në reagimin e saj, ministria theksoi se asnjë nxënës nuk mund të detyrohet apo të vihet nën presion për të marrë pjesë në protesta.
Inspektorati Qendror i Arsimit do të trajtojë çdo informacion apo ankesë për detyrim ose presion ndaj nxënësve, sipas ministrisë. Ai do të monitorojë edhe respektimin e kërkesave për zhvillimin e rregullt të mësimit.
Ministria u bëri thirrje drejtorive komunale të arsimit dhe institucioneve arsimore të ndërmarrin masat e nevojshme. Ajo kërkoi respektimin e orarit mësimor dhe tha se nxënësit nuk duhet të organizohen apo të largohen nga mësimi për pjesëmarrje në tubime.
Në reagim, ministria theksoi përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e nxënësve, shumica e të cilëve, sipas saj, janë nën 18 vjeç. Njoftimi nuk paraqet një përfundim të Inspektoratit që vërteton raste konkrete të detyrimit.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


