LDK: Emrat krahas Listës Serbe, përpjekje për linçim publik
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si përpjekje për linçim publik dhe kërcënim politik vendosjen e emrave të deputetëve të saj në një rresht me deputetët e Listës Serbe.…

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si përpjekje për linçim publik dhe kërcënim politik vendosjen e emrave të deputetëve të saj në një rresht me deputetët e Listës Serbe. Në një komunikatë, partia thotë se kjo është bërë për shkak të qëndrimit të saj ndaj nismës për ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Mesazhi ynë është i qartë, LDK nuk shantazhohet. As me etiketime, as me kërcënime, as me përpjekje të tilla”, thuhet në reagim.
LDK-ja mbron qëndrimin e saj duke argumentuar se iniciativa nuk prodhon efektin juridik që u premtohet qytetarëve. Sipas partisë, kjo çështje kërkon seriozitet juridik dhe koordinim me aleatët e Kosovës.
Në komunikatë, LDK-ja thekson se lufta e UÇK-së është e shenjtë dhe se kërkimi i drejtësisë për viktimat është detyrim i patjetërsueshëm. Ajo përmend edhe veprimtarët e vrarë të partisë, familjet e të cilëve ende presin drejtësi.
Partia u bën thirrje udhëheqësve politikë të ndalin gjuhën e linçimit dhe të kërkojnë përgjegjësi nga përfaqësuesit e përkrahësit e tyre. “Dallimet për rrugën që duhet ndjekur nuk na bëjnë armiq”, thuhet në komunikatë.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


