Lawler i shkruan Kurtit: Konsensus për presidentin që të shmangen zgjedhjet
Kongresisti amerikan Michael Lawler i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti të punojë për kthimin e të gjitha palëve politike në negociata për zgjedhjen e presidentit, me synimin që Kosova…

Kongresisti amerikan Michael Lawler i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti të punojë për kthimin e të gjitha palëve politike në negociata për zgjedhjen e presidentit, me synimin që Kosova të shmangë zgjedhje të reja parlamentare. Këtë e bëri të ditur Qeveria e Kosovës në komunikatën e 2 tetorit për letrën e tij.
Sipas komunikatës, Lawler shprehu shpresën që presidenti i ri të zgjidhet në javët në vijim, për të parandaluar një raund zgjedhjesh parlamentare që ai e përshkroi si të katërtin në më pak se dy vjet.
“Ju bëj thirrje që të punoni për t’u siguruar që të gjithë akterët politikë të kthehen në negociata me mirëbesim dhe të gjejnë konsensusin e nevojshëm për të zgjedhur presidentin”, shkroi Lawler, sipas Qeverisë.
Kongresisti e lidhi nevojën për unitet dhe bashkëpunim ndërpartiak edhe me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Ai theksoi se stabiliteti institucional ndihmon përqendrimin te prioritetet e vendit dhe avancimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara.
Në letër, Lawler ritheksoi gjithashtu mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke e cilësuar atë të rëndësishëm për sigurinë afatgjatë të Kosovës dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


