Politikë

Kush është Michèle Picard, francezja që do ta kryesojë Panelin e Apelit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së?

Kush është Michèle Picard, francezja që do ta kryesojë Panelin e Apelit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së? Gjyqtarja franceze Michèle Picard do ta kryesojë Panelin e Gjykatës së Apelit…

Kush është Michèle Picard, francezja që do ta kryesojë Panelin e Apelit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së?
Dëgjo artikullin 3 min

Kush është Michèle Picard, francezja që do ta kryesojë Panelin e Apelit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së?

Gjyqtarja franceze Michèle Picard do ta kryesojë Panelin e Gjykatës së Apelit në procedurën e apelit në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Picard është pjesë e listës së gjyqtarëve ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara që nga 7 shkurti i vitit 2017.

Sipas biografisë së publikuar nga Dhomat e Specializuara, ajo është shtetase e Francës dhe që nga qershori i vitit 2013 ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Parisit.

Nga viti 2008 deri më 2013, Picard ka qenë gjyqtare në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Ajo ka pasur angazhim edhe në Kosovë. Gjatë viteve 2007–2008 ishte anëtare e Panelit Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut të UNMIK-ut.

Para kësaj, nga viti 1996 deri më 2003, Picard shërbeu në Dhomën për të Drejtat e Njeriut në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilën e drejtoi për disa vjet.

Në vitin 2005, ajo u emërua eksperte e pavarur për gjendjen e të drejtave të njeriut në Uzbekistan. Picard ka punuar gjithashtu për Këshillin e Evropës si eksperte në projekte që lidhen me legjislacionin dhe standardet evropiane për të drejtat e njeriut në Shqipëri, Maqedoni dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Gjyqtarja franceze ka diplomuar në drejtësi në Universitetin Paris II, ndërsa në vitin 1992 ka përfunduar Shkollën Kombëtare për Magjistratë në Bordeaux.

Picard nuk është emër i ri në procedurat e Apelit të Dhomave të Specializuara. Ajo ka kryesuar panelet e Apelit në rastet ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, si dhe në disa procedura të tjera të ndërmjetme.

Në dhjetor të vitit 2023, Picard kryesoi panelin që e konfirmoi dënimin e Salih Mustafës, por ia uli atë nga 26 në 22 vjet burgim. Ajo deklaroi atëherë se ulja e dënimit nuk e zvogëlonte, sipas panelit, rëndësinë e veprave për të cilat Mustafa ishte shpallur fajtor.

Tani, Picard do të jetë në krye të panelit që do t’i shqyrtojë pretendimet e mbrojtjes ndaj aktgjykimit të shkallës së parë në rastin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

Biografia dhe përvoja e saj profesionale janë publikuar nga vetë Dhomat e Specializuara.

Scroll To Top