Kurti lidh bateritë në Istog me uljen e importeve
Kryeministri Albin Kurti tha se sistemi i planifikuar i baterive në Istog, me fuqi prej 125 megavatësh, do të ndihmojë në zvogëlimin e nevojës së Kosovës për import të energjisë…

Kryeministri Albin Kurti tha se sistemi i planifikuar i baterive në Istog, me fuqi prej 125 megavatësh, do të ndihmojë në zvogëlimin e nevojës së Kosovës për import të energjisë elektrike.
Deklaratën e bëri në takimin e parë konstituiv të Bordit të Korporatës për Ruajtjen e Energjisë, të mbajtur të mërkurën nga Ministria e Ekonomisë. Ndërmarrja publike KRE Sh.A. do të ketë në pronësi dhe do të operojë sistemin në Istog, i cili synon të ruajë tepricat e energjisë për përdorim kur kërkesa është më e lartë.
Sipas Kurtit, Programi Kompakt ka vlerë prej 236.7 milionë dollarësh: 202 milionë janë grant nga SHBA-ja dhe 34.7 milionë kontribut i Qeverisë së Kosovës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se dy kompani amerikane kanë dorëzuar oferta për projektimin dhe ndërtimin e sistemit të baterive. Sipas saj, punimet planifikohen të nisin vitin e ardhshëm dhe të përfundojnë në vitin 2028.
Rizvanolli theksoi se projekti synon edhe krijimin e kapaciteteve profesionale për menaxhimin e teknologjisë së ruajtjes së energjisë.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


