Ish-komandanti policor serb në Zveçan akuzohet për krime lufte
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj M.Gj., ish-komandant i repartit rezervë të policisë serbe në Zveçan, për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998–1999, sipas komunikatës së…

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj M.Gj., ish-komandant i repartit rezervë të policisë serbe në Zveçan, për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998–1999, sipas komunikatës së saj.
Aktakuza e ngarkon të pandehurin, nën përgjegjësi individuale dhe komanduese dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, për vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile.
Sipas Prokurorisë, më 29 prill 1999 ai dhe pjesëtarë të tjerë të ushtrisë jugosllave e policisë serbe dyshohet se ndërmorën një operacion për rrethimin e një fshati në Komunën e Zveçanit. Në komunikatë thuhet se gjatë operacionit u vranë tre civilë, u rrëmbyen shtatë persona dhe u dogjën shtëpi e u shkatërrua pasuri materiale.
Prokuroria njofton se trupat e gjashtë prej personave të rrëmbyer u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll, ndërsa trupi i personit të shtatë ende nuk është gjetur.
Çështja i është kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas Prokurorisë, i pandehuri ndodhet në paraburgim. Akuzat mbeten për shqyrtim nga gjykata.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


