Investimet në rrugë e hekurudha ulin kostot për bizneset dhe fuqizojnë ekonominë
# Shkëlzen Jusaj: Investimet në rrugë e hekurudha ulin kostot për bizneset dhe fuqizojnë ekonominë Investimet në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore janë kyçe për zhvillimin ekonomik të Kosovës, lehtësimin e…

# Shkëlzen Jusaj: Investimet në rrugë e hekurudha ulin kostot për bizneset dhe fuqizojnë ekonominë
Investimet në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore janë kyçe për zhvillimin ekonomik të Kosovës, lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve. Këtë e ka theksuar Shkëlzen Jusaj, president i Komunitetit të Bizneseve Kosovaro-Gjermano-Zvicerane (KGS) dhe pronar i kompanisë Petrol Company, gjatë Samitit të Ballkanit në Prishtinë.
Samiti mblodhi përfaqësues të sektorit privat, institucioneve financiare dhe vendimmarrës për të diskutuar projektet zhvillimore, investimet strategjike dhe perspektivat ekonomike të Kosovës dhe rajonit.
Në një prononcim për KosovaPress, Jusaj e vlerësoi samitin si një mundësi të rëndësishme për të diskutuar projektet që janë në zhvillim dhe ato që pritet të realizohen në të ardhmen. Ai nënvizoi nevojën që zotimet publike të përcillen me vëmendje dhe të konkretizohen përmes realizimit të projekteve.
Sipas Jusajt, ndikimi i investimeve infrastrukturore shtrihet në disa drejtime. Ato krijojnë aktivitet për kompanitë ndërtimore, përmirësojnë transportin dhe lehtësojnë qarkullimin e mallrave. Ulja e kostove të transportit, ndërkaq, ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin dhe konkurrueshmërinë e bizneseve.
Në samit kontribuoi si folës edhe Roberto Accinelli, menaxher i projektit të GCF-së, kompani anëtare e KGS-së. Ai trajtoi rehabilitimin e hekurudhave dhe rëndësinë e tyre për zhvillimin e transportit, përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik.
Pjesë e samitit ishin gjithashtu Omer Nura, kryetar i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare (RRGBSH), dhe Bedri Suka, përfaqësues i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Itali.
KGS-ja thekson se dialogu ndërmjet sektorit privat, institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë mbetet thelbësor për avancimin e projekteve strategjike. Ky bashkëpunim, sipas komunitetit, duhet t’i shërbejë përmirësimit të kushteve për të bërë biznes dhe nxitjes së investimeve në Kosovë dhe rajon.