Pa kategori

IKD-ja propozon të paktën 61 vota për drejtorin e Byrosë

Instituti i Kosovës për Drejtësi propozon që drejtori i përgjithshëm i Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës që zgjidhen nga Kuvendi të…

IKD-ja propozon të paktën 61 vota për drejtorin e Byrosë
Dëgjo artikullin 2 min

Instituti i Kosovës për Drejtësi propozon që drejtori i përgjithshëm i Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës që zgjidhen nga Kuvendi të marrin së paku 61 vota, me synimin për të forcuar pavarësinë e institucionit.

Kjo është njëra nga gjashtë ndërhyrjet në projektligj që IKD-ja paraqiti të enjten në hulumtimin parlamentar “Ndërhyrjet e nevojshme para miratimit përfundimtar të Ligjit për Byronë”. Sipas hulumtuesit të lartë Gzim Shala, propozimet janë përgatitur për fazën ndërmjet dy leximeve në Kuvend.

IKD-ja propozon gjithashtu që verifikimi i pasurisë të mund të zgjerohet deri në pesë vjet pas përfundimit të funksionit publik, kur mospërputhja ndërmjet pasurisë së fituar dhe të hyrave të ligjshme gjatë së njëjtës periudhë tejkalon 25 mijë euro.

Një tjetër propozim parashikon që barra e provës t’i kalojë palës vetëm pasi Gjykata ta ketë konfirmuar me vendim të formës së prerë bazueshmërinë e propozimit për konfiskim. Ankesa ndaj vendimit të konfirmimit, sipas IKD-së, duhet të ketë efekt pezullues.

Ndryshimet e tjera përfshijnë krijimin e një Divizioni për Konfiskim Civil në Gjykatën e Apelit, rregulla për kompensimin e dëmeve kur procedura përfundon pa konfiskim dhe mundësinë që palët e treta të kundërshtojnë në Gjykatë vendimet për zgjerimin e verifikimit.

IKD-ja e cilëson legjitim synimin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, por kërkon rregulla të qarta dhe garanci procedurale para miratimit përfundimtar të projektligjit.

Sponsorët

Petrol CompanyJYSKMishtore Meli
Scroll To Top