Gashi propozon zgjedhje në LDK, me garë të hapur
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka bërë thirrje për zgjedhje të reja partiake, me të drejtën e secilit anëtar për të kandiduar ose rikandiduar dhe me vendimmarrje përmes votës së…

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka bërë thirrje për zgjedhje të reja partiake, me të drejtën e secilit anëtar për të kandiduar ose rikandiduar dhe me vendimmarrje përmes votës së lirë të anëtarësisë.
Në një postim në Facebook, ai kërkoi reflektim dhe ndryshim të qasjes, duke argumentuar se rezultatet e reja nuk mund të arrihen duke vazhduar njësoj. Thirrjen e bëri pas tri palë zgjedhjesh në vend brenda 18 muajve.
“Prandaj, bëj thirrje që të ulemi, të dialogojmë dhe të dakordohemi për zgjedhje të reja partiake, në një kohë të përshtatshme dhe me rregulla të drejta për të gjithë”, ka shkruar Gashi.
Ai e paraqiti procesin demokratik dhe gjithëpërfshirës si rrugë për rikthimin e besimit dhe forcimin e LDK-së. Sipas tij, lidershipi kërkon guxim për vendime të vështira dhe hapje të rrugës për ndryshim.
Gashi theksoi se synimi i kësaj thirrjeje është bashkimi i anëtarësisë. “Jo për ta ndarë LDK-në, por për ta bashkuar. Për ta ruajtur të kaluarën, por për ta ndërtuar të ardhmen. Koha për një fillim të ri është tani”, përfundoi ai.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


