Politikë

Blerta Deliu në “DPT te Fidani”: Sulmet e Albulena Haxhiut janë goditje nën brez

Blerta Deliu në “DPT te Fidani”: Sulmet e Albulena Haxhiut janë goditje nën brez Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Albulena Haxhiut për zyrtarët e…

Blerta Deliu në “DPT te Fidani”: Sulmet e Albulena Haxhiut janë goditje nën brez
Dëgjo artikullin 4 min

Blerta Deliu në “DPT te Fidani”: Sulmet e Albulena Haxhiut janë goditje nën brez

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Albulena Haxhiut për zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, duke i cilësuar ato si rikthim te gjuha e vjetër e përplasjeve politike.

Në emisionin **“DPT te Fidani”**, Deliu tha se sulmet ndaj eksponentëve të PDK-së zakonisht intensifikohen para proceseve zgjedhore, por shprehu shpresën që këtë herë të mos bëhet fjalë për kalkulime elektorale.

“Filluan sulmet ndaj eksponentëve të PDK-së dhe këto sulme rëndom fillojnë para proceseve zgjedhore. Dua që ky konstatim imi të mos dalë i drejtë. Dua të besoj se, të paktën në këto rrethana, nuk po kalkulohet për vota dhe për ta goditur njëri-tjetrin”, deklaroi Deliu.

Sipas saj, Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe për unitet rreth mbështetjes shtetërore për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot askujt nuk i duhet një shtet jofunksional. Kosovës i duhet që për Ligjin për mbështetjen shtetërore të mos ketë asnjë dilemë”, tha ajo.

Deliu kritikoi edhe publikimin e transkripteve lidhur me financimin e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se paratë e taksapaguesve janë përdorur për mbrojtjen e atyre që ajo i cilësoi si etërit e pavarësisë së Kosovës.

“Janë publikuar transkriptet e mbështetjes që e ka dhënë Qeveria. Janë shpenzuar miliona euro në kontrata që nuk i ka parë askush, por transkriptet janë publikuar vetëm për t’i treguar opinionit se paratë e taksapaguesve kanë shkuar për mbështetjen financiare të krerëve të UÇK-së, etërve të pavarësisë së Republikës së Kosovës”, deklaroi Deliu.

Ajo reagoi veçanërisht ndaj deklaratave të Haxhiut për Sami Lushtakun, duke thënë se sulmet ndaj ish-komandantëve të UÇK-së po bëhen në një moment tejet të ndjeshëm.

“Në kohën kur Gjykata Speciale paralajmëron aktakuza dhe nuk e dimë se cili është qëllimi, sulmohen komandantët shqiptarë. Në aspektin politik, këta e kanë pasur mekanizëm për të jetuar politikisht prej Sami Lushtakut dhe Rrustem Mustafës”, tha ajo.

Deliu tha se deklaratat e Haxhiut janë në kundërshtim me frymën e unitetit të shfaqur vetëm një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.

“Po flasim për kryetaren e Kuvendit të Republikës, ushtruesen e detyrës së presidentes dhe gruan më të votuar në Kosovë. Në rrethanat kur miratojmë një deklaratë të përbashkët, zonja Haxhiu del, e lexon dhe i falënderon deputetët për unifikimin, ndërsa një ditë më vonë shkon në një studio televizive dhe i kthehet avazit të vjetër të sulmeve”, deklaroi Deliu në **“DPT te Fidani”**.

Sipas saj, një gjuhë e tillë nuk i kontribuon bashkimit politik në mbrojtje të interesave të vendit.

“Kjo nuk flet për unifikim. Kjo flet për një mendësi të vogël, e cila e cenon shtetin dhe identitetin tonë kombëtar”, tha ajo.

Deliu theksoi se betejat partiake do të vazhdojnë dhe se partitë herë do të jenë në pushtet e herë në opozitë, por shtoi se tema e UÇK-së nuk duhet të përdoret për përfitime politike.

“Ne kemi beteja partiake. Do të jemi pozitë dhe opozitë, por këtu është **goditja nën brez**”, përfundoi Blerta Deliu në emisionin **“DPT te Fidani”**.

Scroll To Top