“Apeli rrëzon vendimin”: rasti i zjarrit në restorantin “Berlini” kthehet sërish në rigjykim
Gjykata e Apelit anuloi vendimin e mëparshëm dhe ktheu sërish në rigjykim rastin ndaj tre të akuzuarve për zjarrvënien në restorantin “Berlini”.

Gjykata e Apelit e ka kthyer për herë të dytë në rigjykim çështjen ndaj Besart Mulakut, Kushtrim Krasniqit dhe Festim Krasniqit, të cilët akuzohen për zjarrvënien e vitit 2020 në restorantin “Berlini”, në magjistralen Ferizaj–Prishtinë.
Në rigjykimin e mëparshëm, Gjykata Themelore në Ferizaj i kishte dënuar tre të akuzuarit me nga dy vjet burgim. Ky aktgjykim nuk mbetet në fuqi pasi Apeli e anuloi dhe e ktheu çështjen për shqyrtim të ri.
Mbrojtësit kishin paraqitur ankesa duke pretenduar shkelje esenciale të procedurës penale, vërtetim të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal. Ata kishin kërkuar lirimin nga akuza ose kthimin e çështjes në rigjykim, ndërsa Prokuroria e Apelit kishte propozuar që ankesat të refuzoheshin dhe vendimi i shkallës së parë të vërtetohej.
Sipas gjetjeve të Apelit, në proces ka pasur shkelje esenciale procedurale. Në shkresat e lëndës rezulton se gjyqtarja që kishte urdhëruar sekuestrimin e sendeve si prova gjatë procedurës paraprake, më pas e kishte gjykuar të njëjtën çështje si gjyqtare e vetme.
Apeli vlerësoi se, në këto rrethana, gjyqtarja është dashur të përjashtohej për shkak të pjesëmarrjes së saj në një fazë të mëparshme të së njëjtës procedurë penale.
Për shkak se aktgjykimi u anulua mbi këtë shkelje procedurale, gjykata e shkallës së dytë nuk u lëshua në shqyrtimin e pretendimeve të tjera të paraqitura në ankesa. Gjykata e shkallës së parë është udhëzuar që në rigjykim t’i evitojë shkeljet dhe të marrë një vendim të ligjshëm e të arsyetuar.
Kolegji i Apelit përbëhej nga Nikoll Komani si kryetar, si dhe Ali Kutllovci e Mehmet Ndrecaj si anëtarë. Tre të pandehurit vazhdojnë të konsiderohen të pafajshëm derisa përgjegjësia e tyre të përcaktohet me vendim të formës së prerë.
Shënim redaksional: Fotografia e titullit është një dizajn simbolik i krijuar me inteligjencë artificiale dhe nuk paraqet domosdoshmërisht vendin apo momentin real.