Apeli lë në fuqi burgimin e Selimit për spiunazh
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me gjashtë vjet burgim ndaj Hysri Selimit për spiunazh, duke refuzuar si të pabazuara si kërkesën e Prokurorisë Speciale për dënim më…

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me gjashtë vjet burgim ndaj Hysri Selimit për spiunazh, duke refuzuar si të pabazuara si kërkesën e Prokurorisë Speciale për dënim më të lartë, ashtu edhe ankesën e mbrojtjes.
Sipas vendimit të përpiluar më 23 tetor 2026, mbetet në fuqi aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i 15 qershorit. Mbrojtësi Ali Beka kishte kërkuar lirimin nga akuza ose kthimin e çështjes në rigjykim.
Apeli vlerësoi se provat dëshmonin komunikimin e Selimit me zyrtarë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, BIA, dhe ndarjen e informacioneve për aktivitete të pjesëtarëve të UÇK-së, vrasje gjatë luftës dhe pjesëmarrës shqiptarë në luftën në Siri.
Sipas gjykatës, Selimi ishte paguar deri në 700 euro në muaj dhe ishte pajisur me telefona për komunikim me zyrtarët e BIA-së.
Gjykata rrëzoi pretendimin e mbrojtjes se ai kishte vepruar në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Sipas Apelit, nuk kishte prova për rekrutimin e tij nga AKI; përkundrazi, hetimet kishin nisur pasi kjo agjenci e kishte paraqitur në polici.
Apeli nuk konstatoi shkelje procedurale që do të kërkonin anulimin e aktgjykimit.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


