AP e NATO-s tregon çfarë po ndryshon te KFOR-i
NATO-ja ka nisur optimizimin gradual të pozicionimit të KFOR-it pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë, duke ruajtur mundësinë e përshtatjes së pranisë nëse rrethanat përkeqësohen, sipas Asamblesë Parlamentare…

NATO-ja ka nisur optimizimin gradual të pozicionimit të KFOR-it pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë, duke ruajtur mundësinë e përshtatjes së pranisë nëse rrethanat përkeqësohen, sipas Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Në njoftimin pas misionit faktmbledhës të Komitetit Politik në Prishtinë, më 28 dhe 29 tetor, Asambleja vlerëson se përmirësimi i sigurisë krijon hapësirë për përparim politik dhe forcim të besimit ndërmjet komuniteteve. Megjithatë, tensionet e vazhdueshme dhe kërcënimet hibride mbeten sfida për stabilitetin afatgjatë.
Delegacioni vizitoi Shtabin e KFOR-it, ku u trajtua roli i misionit në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet.
Gjatë takimeve, kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë paraqitën prioritetet për investimet në mbrojtje, prokurimin, rekrutimin dhe forcimin e ndërveprueshmërisë së FSK-së me forcat aleate. Udhëheqësit e Kosovës ritheksuan se anëtarësimi në NATO mbetet prioritet strategjik.
Asambleja thekson se siguria dhe përparimi politik duhet të ecin paralelisht. Sipas saj, dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve ekzistuese mbeten vendimtarë për stabilitetin rajonal.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


