Abdixhiku: U refuzua kandidati i LDK-së për president, jo marrëveshje qeverisëse me VV-në
Lumir Abdixhiku thotë se në LDK u refuzua kandidati për president, jo një marrëveshje qeverisëse me LVV-në.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas mbledhjeve të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të partisë, duke sqaruar qëndrimin e tij për zhvillimet rreth zgjedhjes së presidentit.
Abdixhiku tha se nuk është refuzuar ndonjë marrëveshje qeverisëse me Lëvizjen Vetëvendosje, sepse një marrëveshje e tillë nuk ka ekzistuar dhe LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në opozitë.
Sipas tij, ajo që u refuzua ishte votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja për president të Kosovës, vendim që, siç tha ai, e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Kreu i LDK-së theksoi se zgjedhjet e reja nuk kanë qenë pjesë e agjendës së partisë, as kërkesë apo vendim i anëtarësisë së saj.
Ai pretendoi se zgjedhjet kanë qenë prej muajsh agjendë e grupeve të tjera politike dhe se kjo po ndikon tashmë edhe në rrjedhat e brendshme të LDK-së, por shtoi se partia nuk do të dorëzohet.
