Pesë të akuzuar mohojnë fajësinë për përgatitjen e një vrasjeje, Adem Helshani mbetet në arrati
Pesë persona të akuzuar për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar dhe përgatitjen e një vrasjeje janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pesë persona të akuzuar për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar dhe përgatitjen e një vrasjeje janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Dardan Ramqaj, Fatos Qallaku, Shpend Kelmendi, Demokrat Muçaj dhe Roland Beqiri i kanë mohuar akuzat pasi prokurori special Kastriot Memaj e lexoi aktakuzën. Procedura ndaj të akuzuarit Adem Helshani është veçuar, pasi ai ndodhet në arrati.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, grupi dyshohet se ka ndërmarrë veprime përgatitore për vrasjen e Shkodran Hysenit dhe për sulme ndaj bizneseve të familjes Buquku. Pretendimet e prokurorisë nuk janë vërtetuar ende me vendim gjyqësor.
Mbrojtja kërkoi ndërprerjen e paraburgimit për pesë të akuzuarit, duke argumentuar se ata po mbahen nën këtë masë prej më shumë se 18 muajsh. Trupi gjykues e refuzoi kërkesën.
Palët kanë afat 30 ditë për të kërkuar hedhjen e aktakuzës dhe për të kundërshtuar provat. Të akuzuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.