Organizatat kosovare i kërkojnë Amnesty-t sqarim për viktimat e luftës
Organizata të shoqërisë civile në Kosovë i kanë kërkuar Amnesty International të rishikojë deklaratën për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në një letër publike,…

Organizata të shoqërisë civile në Kosovë i kanë kërkuar Amnesty International të rishikojë deklaratën për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në një letër publike, nënshkruesit kërkojnë që deklarata të dallojë viktimat e përfshira në këtë proces nga popullsia më e gjerë e viktimave të luftës në Kosovë.
Organizatat kërkojnë përfshirjen e krimeve të forcave serbe në kontekstin e deklaratës. Sipas tyre, formulimi i Amnesty-t i 16 shtatorit për dënime që “u japin shpresë mijëra viktimave të luftës në Kosovë” nuk shoqërohet me sqarime të mjaftueshme për përvojat e viktimave jashtë kësaj çështjeje gjyqësore.
Nënshkruesit argumentojnë se kjo mungesë mund t’i shtyjë lexuesit që nuk e njohin luftën t’i lidhin viktimat në përgjithësi me krimet e trajtuara në aktgjykimin e veçantë. Ata kërkojnë edhe përmendjen e nevojës së vazhdueshme për përgjegjësi për krimet e forcave serbe.
“Përgjegjësia duhet të mbetet e lidhur me autorët, veprat dhe gjetjet konkrete”, thuhet në letër. Nënshkruesit theksojnë se mbështesin procese të drejta gjyqësore, të drejtën e apelimit dhe drejtësinë për të gjitha viktimat, pavarësisht përkatësisë etnike.
Mes nënshkruesve janë Instituti i Kosovës për Drejtësi, Instituti Demokratik i Kosovës, Lëvizja FOL dhe QIKA. Ata kërkojnë një përgjigje me shkrim nga Amnesty International për mënyrën se si do t’i adresojë shqetësimet e ngritura.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


