Maliqi: Lista Studentore nuk premton kthesë në politikën e jashtme
Lista Studentore në Serbi nuk parasheh shkëputje nga kursi aktual i politikës së jashtme dhe mund të bëhet edhe më e ngurtë në këtë drejtim, sipas hulumtuesit në Atlantic Council,…

Lista Studentore në Serbi nuk parasheh shkëputje nga kursi aktual i politikës së jashtme dhe mund të bëhet edhe më e ngurtë në këtë drejtim, sipas hulumtuesit në Atlantic Council, Agon Maliqi.
Në vlerësimin e tij pas mbylljes së vendvotimeve në zgjedhjet parlamentare, Maliqi e cilësoi humbjen e mundshme të Aleksandar Vuçiqit si zhvillim pozitiv për demokracinë në rajon dhe Evropë. Megjithatë, ai parashikoi se Serbia do të përballet me jostabilitet në vitet e ardhshme, pavarësisht rezultatit.
Sipas Maliqit, Lista Studentore është një strukturë heterogjene, pa lidership të qartë. Ai vlerësoi se qeverisja do të ishte e vështirë për të, veçanërisht përballë një aparati shtetëror që e përshkroi si të kapur thellësisht nga regjimi aktual.
“Lista Studentore gjithashtu nuk parasheh shkëputje nga kursi i tanishëm i politikës së jashtme, madje në këtë drejtim mund të bëhet edhe më e ngurtë.”
Maliqi shtoi se përvoja e lëvizjes studentore në Serbi mund t’u shërbejë studentëve dhe partive të vogla në Shqipëri si shembull për kanalizimin e kundërshtimit politik në ofertë zgjedhore dhe legjitimim përmes votës.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


