# Kush po i vjedh kriptovalutat në vlerë miliardëshe?
# Kush po i vjedh kriptovalutat në vlerë miliardëshe? Miliarda dollarë që zhduken nga platformat financiare, operacione të përgatitura në fshehtësi dhe mijëra specialistë që punojnë për një shtet të…

# Kush po i vjedh kriptovalutat në vlerë miliardëshe?
Miliarda dollarë që zhduken nga platformat financiare, operacione të përgatitura në fshehtësi dhe mijëra specialistë që punojnë për një shtet të izoluar. Pas disa prej grabitjeve më të mëdha në botën e kriptovalutave, autoritetet dhe kompanitë e sigurisë kibernetike identifikojnë të njëjtën lidhje: Korenë e Veriut.
Pheniani ka ngritur një strukturë të organizuar hakerësh, numri i të cilëve, sipas vlerësimeve të inteligjencës së Koresë së Jugut, arrin në rreth 8,400 persona. Objektivat e tyre përfshijnë banka, kompani teknologjike dhe platforma ku tregtohen e ruhen kriptovalutat.
Për regjimin e Kim Jong Un, operacionet kibernetike shërbejnë për mbledhjen e informacioneve, sigurimin e parave dhe anashkalimin e kufizimeve ndërkombëtare. Sulmet financiare janë bërë pjesë e një strategjie që ndërthur teknologjinë me interesat politike dhe ushtarake të shtetit.
Vëmendjen e ka rikthyer sulmi i raportuar ndaj Binance, platformës më të madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave. Rreth 6.3 miliardë dollarë në asete digjitale u vodhën në një operacion, pjesa kryesore e të cilit, sipas raportimeve, u krye brenda vetëm 20 minutash.
Analiza e kompanisë TRM Labs e vendos shumën e transferuar nga hakerët në rreth 6.36 miliardë dollarë. Asetet u zhvendosën drejt adresave nën kontrollin e sulmuesve përmes dhjetë rrjeteve blockchain, mes tyre Bitcoin, Ethereum, Tron dhe Solana.
Sulmi i 29 tetorit ishte përgatitur paraprakisht. Sipas analizës, gjurmët e operacionit shtrihen të paktën 36 orë përpara lëvizjes masive të fondeve. Gjatë përgatitjeve, autorët kishin kryer edhe transaksione testuese.
Binance fillimisht identifikoi si pikënisje të mundshme një laptop të komprometuar që përdorej nga një inxhinier i kompanisë. Më pas, hetimet nxorën në pah edhe pika të tjera të mundshme të ndërhyrjes, duke treguar se zbardhja e mekanizmit të sulmit kërkonte hetime të mëtejshme.
Platforma pezulloi përkohësisht tërheqjet, ndërsa autoritetet dhe kompanitë e specializuara në sigurinë kibernetike nisën gjurmimin e aseteve. Përpjekjet u përqendruan te identifikimi i adresave ku po kalonin fondet dhe mundësitë për ngrirjen ose rikuperimin e tyre.
Sipas njoftimit të Binance deri më 1 nëntor, rreth 95 për qind e vlerës së aseteve të prekura ishte rimbursuar ose mbuluar përmes fondeve dhe rezervave të kompanisë. Mbulimi i humbjeve, megjithatë, nuk nënkupton se fondet janë marrë mbrapsht nga autorët e vjedhjes.
Autoritetet amerikane e lidhin këtë operacion me TraderTraitor, grup kibernetik që dyshohet se vepron në lidhje me shtetin e Koresë së Veriut.
Pas këtij emri qëndron një mënyrë veprimi që shfrytëzon edhe besimin e punonjësve. Sulmuesit mund të paraqiten si rekrutues apo përfaqësues të kompanive ndërkombëtare dhe t’u afrohen specialistëve me oferta tërheqëse pune.
Kontakti vazhdon me intervista të simuluara dhe detyra që duken pjesë e një procedure të zakonshme punësimi. Kandidatëve u kërkohet të hapin dokumente, të instalojnë programe apo të ekzekutojnë skedarë që përmbajnë programe keqdashëse.
Nëse kurthi funksionon, hakerët mund të sigurojnë qasje në llogari, dokumente të brendshme dhe sisteme financiare të kompanive ku punojnë personat e shënjestruar. Një ofertë pune mund të shndërrohet kështu në hyrjen për një operacion shumë më të gjerë.
TraderTraitor është lidhur nga autoritetet amerikane edhe me vjedhjen e rreth 1.5 miliardë dollarëve nga Bybit në shkurt të vitit 2025. Ai rast u rendit mes grabitjeve më të mëdha të kriptomonedhave të regjistruara deri atëherë.
Kapacitetet për operacione të tilla ndërtohen për vite. Sipas një analize të Financial Times, Koreja e Veriut ka zhvilluar prej dekadash një sistem që përfshin për