Kurti: Mosmarrëveshjet dypalëshe të mos bllokojnë rrugën drejt BE-së
Kryeministri Albin Kurti kërkoi që mosmarrëveshjet dypalëshe të trajtohen në një kapitull të veçantë të procesit të anëtarësimit në BE, në mënyrë që të mos bllokojnë përparimin në fushat e…

Kryeministri Albin Kurti kërkoi që mosmarrëveshjet dypalëshe të trajtohen në një kapitull të veçantë të procesit të anëtarësimit në BE, në mënyrë që të mos bllokojnë përparimin në fushat e tjera, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit për fjalimin e tij në Dublin.
Në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA), Kurti e lidhi këtë kërkesë me nevojën për një proces integrimi të drejtë dhe të besueshëm.
“Mosmarrëveshjet dypalëshe duhet ta kenë kapitullin e tyre të veçantë në procesin e anëtarësimit, në mënyrë që një çështje të mos e bllokojë përparimin në të gjitha fushat e tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve”, tha ai.
Kurti kërkoi gjithashtu shqyrtimin e aplikimit të Kosovës dhe nisjen e negociatave për anëtarësim. Ai kujtoi se aplikimi ishte dorëzuar më 15 dhjetor 2022 dhe se Kosova ende mbetet pa status kandidati.
“Ne kurrë nuk kemi kërkuar trajtim të veçantë, vetëm trajtim të barabartë”, deklaroi kryeministri.
Ai shprehu pritjen që Irlanda ta mbështesë rrugëtimin evropian të Kosovës gjatë presidencës së saj të Këshillit të BE-së dhe pas përfundimit të saj.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


