Kamberi: Plani me shtatë pika, baza e kërkesave në Serbi
Shaip Kamberi tha se plani me shtatë pika, i miratuar nga Qeveria e Serbisë në qershor 2013, do të jetë baza e kërkesave të “Koalicionit Shqiptar”. Në deklaratat për Radion…

Shaip Kamberi tha se plani me shtatë pika, i miratuar nga Qeveria e Serbisë në qershor 2013, do të jetë baza e kërkesave të “Koalicionit Shqiptar”. Në deklaratat për Radion Evropa e Lirë, kreu i Partisë për Veprim Demokratik shpalosi edhe marrëveshjen për veprimin e përbashkët pas zgjedhjeve.
Sipas Kamberit, deputetët e koalicionit do të qëndrojnë së bashku dhe do të synojnë formimin e një grupi parlamentar me parti të tjera me të cilat ndajnë veprim të përbashkët.
“Jemi dakorduar që baza e kërkesave tona të jetë plani me shtatë pika, të cilin Qeveria e Serbisë e miratoi në qershor të vitit 2013, duke iu referuar marrëveshjeve të mëhershme, të cilat, me ndërmjetësimin e OSBE-së, janë nënshkruar ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve dhe Qeverisë së Serbisë”, tha Kamberi.
Plani përfshin përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, rimëkëmbjen ekonomike të komunave të Luginës së Preshevës dhe përdorimin zyrtar të gjuhës, shkrimit e simboleve kombëtare shqiptare. Ai trajton gjithashtu drejtësinë, sigurinë, arsimin, shëndetësinë dhe fusha të tjera të shërbimeve publike.
Kamberi, i cili do t’i prijë listës së tetë partive shqiptare, tha se synimi është rritja e përfaqësimit në Kuvendin e Serbisë. Sipas tij, përpjekjet për të siguruar një, dy apo në disa raste tre mandate mbeten larg përfaqësimit që ai vlerëson se duhet të kenë shqiptarët.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


