Inaugurohet “FIFA Talent Academy Kosova”, projekti i parë i këtij lloji në Ballkan
FFK-ja dhe FIFA kanë inauguruar akademinë e talenteve në Kosovë, projekt për zhvillimin profesional të futbollistëve dhe futbollisteve të rinj.

Federata e Futbollit e Kosovës dhe FIFA kanë inauguruar zyrtarisht “FIFA Talent Academy Kosova”, projekt për identifikimin dhe zhvillimin e futbollistëve e futbollisteve të rinj.
Akademia synon t’u ofrojë talenteve të reja trajnim në ambient profesional dhe sipas standardeve ndërkombëtare, me synimin që në të ardhmen të furnizojë klubet dhe Kombëtaren e Kosovës.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, tha se akademia e Kosovës është e para në rajon dhe në Ballkan, e treta në Evropë dhe e 15-ta në botë në kuadër të projektit të FIFA-s.
Ademi e cilësoi hapjen si investim afatgjatë në gjeneratat e reja dhe tha se projekti do të përfshijë fëmijë që vijnë nga klubet e Kosovës.
Ministri në detyrë i Sportit, Blerim Gashani, tha se akademia po krijon një sistem më të strukturuar për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve, duke e vlerësuar bashkëpunimin mes institucioneve, FFK-së dhe FIFA-s si thelbësor.