Pa kategori

Kosovës i duhet president ushtarak

Nait Hasani në DPT te Fidani: Kosovës i duhet president ushtarak, veç Ramush Haradinaj u del zot vlerave të UÇK-së Nait Hasani ka deklaruar se, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale,…

Kosovës i duhet president ushtarak
Dëgjo artikullin 3 min

Nait Hasani në DPT te Fidani: Kosovës i duhet president ushtarak, veç Ramush Haradinaj u del zot vlerave të UÇK-së

Nait Hasani ka deklaruar se, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale, Kosovës i duhet një president që vjen nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe që është i gatshëm t’i mbrojë vlerat e luftës përballë udhëheqësve ndërkombëtarë.

Në një intervistë në emisionin DPT te Fidani, Hasani tha se Kosova ndodhet në krizë dhe se zgjedhja e presidentit duhet të shihet edhe në kontekstin e zhvillimeve të fundit në Hagë.

“Sot për sot, Kosova është në krizë. Edhe për presidentin duhet të vendoset duke i parë rrethanat e krijuara pas vendimit të Gjykatës Speciale”, deklaroi Hasani.

Sipas tij, Kosova duhet t’i tregojë botës se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Për ta përçuar këtë mesazh, Hasani tha se vendit i duhet një president me të kaluar ushtarake në UÇK.

“Për t’i treguar botës se nuk jemi ndërmarrje e përbashkët kriminale, duhet ta kemi një president ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Hasani në DPT te Fidani.

Ai përmendi kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, si figurën që, sipas tij, do të mund ta mbronte drejtpërdrejt historinë dhe vlerat e luftës së UÇK-së në takimet ndërkombëtare.

“Kur takohet me presidentët, ai mund t’u thotë: ‘Unë jam Ramush Haradinaj, ushtar dhe komandant i Zonës së Dukagjinit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I kam dy dëshmorë dhe tërë familjen në luftë. Unë jam sikurse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe gjithë Ushtria Çlirimtare e Kosovës’”, u shpreh Hasani.

Sipas tij, presidenti i Kosovës duhet të kërkojë nga partnerët ndërkombëtarë që ta ndryshojnë qasjen ndaj luftës së UÇK-së.

“Duhet t’u thotë: Ndryshojeni qasjen dhe pranoni se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale”, deklaroi ai.

Hasani e bëri të qartë se ky është qëndrimi i tij personal dhe se mund të ketë edhe njerëz që nuk pajtohen me të.

“Ky është mendimi im. Mund të ketë shumë që nuk pajtohen, por unë mendoj se, për momentin, Ramush Haradinaj është i vetmi njeri që mund t’u dalë përballë dhe t’i mbrojë vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, përfundoi Hasani në DPT te Fidani.

Scroll To Top