Hasani: Asnjë presje s’mund të ndryshohet pas vetos presidenciale
Kuvendi nuk mund t’ia ndryshojë përmbajtjen një ligji të kthyer nga presidentja për rishqyrtim, por vetëm ta votojë sërish tekstin e miratuar fillimisht, vlerëson ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.…

Kuvendi nuk mund t’ia ndryshojë përmbajtjen një ligji të kthyer nga presidentja për rishqyrtim, por vetëm ta votojë sërish tekstin e miratuar fillimisht, vlerëson ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Në një intervistë për Paparacin, Hasani tha se ky kufizim buron nga një standard i vendosur nga Gjykata Kushtetuese në rastin e vetos së ish-presidentes Atifete Jahjaga për Ligjin për Pensionet e Pjesëtarëve të FSK-së. Ai kujtoi se drejtonte Gjykatën kur ishte vendosur ai rast.
“Asnjë presje nuk mund t’i shtohet apo t’i hiqet tekstit të ligjit të miratuar më parë”, tha Hasani.
Sipas tij, vetoja presidenciale është instrument kontrolli kushtetues dhe nuk mund të përdoret si nismë për ndryshimin apo plotësimin e ligjit. Për këtë arsye, rishqyrtimi nuk hap një procedurë të re për ndërhyrje në përmbajtje.
Hasani shpjegoi se për tejkalimin e vetos nevojiten të paktën 61 vota, sipas nenit 80, paragrafi 4, të Kushtetutës. Nëse këto vota sigurohen, ligji konsiderohet i shpallur; në të kundërtën, sipas tij, procedura përfundon pa miratimin e ligjit.
Nëse deputetët dëshirojnë ta ndryshojnë përmbajtjen, Hasani thotë se duhet të nisin një procedurë të re legjislative.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


