FFK dënon Vushtrrinë me dy ndeshje pa tifozë dhe 2,500 euro gjobë
Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës e ka dënuar Vushtrrinë me dy ndeshje pa praninë e shikuesve dhe me 2,500 euro gjobë pas incidenteve në ndeshjen kundër Dritës.

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës e ka dënuar Vushtrrinë me dy ndeshje pa praninë e shikuesve dhe me 2,500 euro gjobë pas incidenteve në ndeshjen kundër Dritës.
Sipas vendimit, ndeshja u ndërpre për rreth 13 minuta pasi pati sharje, hedhje të mjeteve të forta dhe tentim për përleshje ndërmjet tifozëve, ndërsa policia ndërhyri për ta qetësuar situatën.
Në minutën e 81-të, pas përjashtimit të një lojtari vendas, u hodhën shishe plastike me ujë në drejtim të gjyqtarit kryesor. Pas përfundimit të takimit, tifozë vendas hynë në fushë, dëmtuan rrethojat e Kampit Nacional të FFK-së në Hajvali dhe u përleshën me policinë; tre persona u arrestuan.
Vushtrria është urdhëruar ta paguajë edhe dëmin e shkaktuar brenda 15 ditëve. Vendimi disiplinor mbështetet në raportet e personave zyrtarë, fotografitë dhe xhirimin televiziv të ndeshjes.
Edhe Drita u dënua me 1,000 euro gjobë për hedhjen e mjeteve piroteknike në fushë, të cilat dëmtuan sipërfaqen në disa vende. Afati i pagesës së gjobës është 15 ditë nga plotfuqishmëria e vendimit.