Behrami vë në pikëpyetje miratimin e marrëveshjes nga BE-ja
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka vënë në pikëpyetje nëse BE-ja e ka miratuar shkëmbimin e letrave Jahjaga–Ashton të vitit 2014 sipas procedurave të veta, duke kërkuar sqarimin e bazës…

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka vënë në pikëpyetje nëse BE-ja e ka miratuar shkëmbimin e letrave Jahjaga–Ashton të vitit 2014 sipas procedurave të veta, duke kërkuar sqarimin e bazës juridike të detyrimeve që ajo ia atribuon Kosovës për Gjykatën Speciale.
Në një postim në Facebook, Behrami tha se Kosova e ka ratifikuar marrëveshjen përmes Ligjit nr. 04/L-274. Ai pyeti nëse pala evropiane ka ndjekur procedurat e përcaktuara në nenin 218 të Traktatit për Funksionimin e BE-së.
Deputeti pretendoi gjithashtu se ka mospërputhje mes cilësimit politik të Speciales si gjykatë e Kosovës dhe terminologjisë në vendimet evropiane për financimin e saj. Sipas tij, Vendimi i Këshillit të BE-së (CFSP) 2025/1161 përdor formulimin “procedura gjyqësore të zhvendosura brenda një shteti anëtar”.
Behrami ngriti edhe çështjen e mundësisë së ankimit të të akuzuarve në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. “Pavarësia gjyqësore duhet respektuar. Por pavarësia nuk nënkupton mungesë llogaridhënieje”, theksoi ai, duke kërkuar që përgjegjësitë për marrëveshjen të shqyrtohen për të dyja palët.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


