Avokati i Popullit: Institucionet zbatojnë dobët ligjin kundër diskriminimit
Raporti vjetor i Avokatit të Popullit evidenton zbatim të dobët institucional të ligjit kundër diskriminimit dhe mungesë të të dhënave të standardizuara.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar zbatim të dobët të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi nga institucionet publike, megjithëse korniza ligjore e Kosovës vlerësohet si e avancuar dhe gjerësisht e harmonizuar me standardet evropiane e ndërkombëtare.
Në raportin vjetor për vitin 2025 janë evidentuar raste të diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë në punësim, qasje në shërbime publike, mbrojtje sociale, të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe barazi gjinore.
Sipas Avokatit të Popullit, në një numër institucionesh mekanizmat për mbrojtjen nga diskriminimi nuk janë funksionalizuar mjaftueshëm. Mungojnë të dhëna të plota dhe të standardizuara, ndërsa disa obligime ligjore mbeten vetëm formale.
Raporti vëren se pengesat në realizimin e të drejtave nuk lidhen vetëm me veprime individuale, por edhe me mënyrën si zbatohen ligjet, politikat dhe praktikat institucionale. Mungesa e një sistemi të unifikuar të evidentimit dhe raportimit e vështirëson krijimin e një pasqyre të plotë të diskriminimit në vend.
Ky është viti i tretë radhazi që Avokati i Popullit i paraqet Kuvendit një raport të veçantë për zbatimin e ligjit. Dy raportet e mëparshme ende nuk janë shqyrtuar nga Kuvendi, gjë që sipas institucionit kufizon debatin dhe mundësinë e zbatimit të rekomandimeve përmes masave konkrete.