Botë

Urrejtja online ndaj politikanëve në Zvicër shënon rekord, cak edhe deputeti Arbër Bullakaj

Kërcënimet dhe ngacmimet online ndaj politikanëve në Zvicër kanë arritur rekord, ndërsa Arbër Bullakaj thotë se përballet çdo ditë me fyerje raciste.

Dëgjo artikullin 1 min
Deputeti zviceran me prejardhje nga Kosova, Arbër Bullakaj
Arbër Bullakaj. Foto: Parliamentary Services, Swiss Federal Assembly / Wikimedia Commons

Kërcënimet dhe ngacmimet online ndaj figurave politike në Zvicër kanë arritur nivel rekord, ndërsa në mesin e politikanëve të shënjestruar është edhe deputeti me prejardhje nga Kosova, Arbër Bullakaj.

Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Policisë, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 645 njoftime për kërcënime dhe ngacmime ndaj deputetëve dhe ministrave. Sulmet prekin veçanërisht politikanët e rinj, gratë dhe personat me prejardhje të huaj.

Bullakaj, deputet socialdemokrat në Parlamentin e Zvicrës, tha se përballet çdo ditë me fyerje raciste në rrjetet sociale. Ai i ka bërë thirrje publikut që rastet e tilla t’i raportojë te Komisioni Federal kundër Racizmit.

Deputeti theksoi se racizmi nuk është mendim i lirë dhe se interneti nuk mund të trajtohet si hapësirë pa ligj. Sipas tij, valët e urrejtjes mund t’i trembin të rinjtë që duan të angazhohen në politikë.

Nga tetori pritet të nisë punën qendra këshilluese “Hatehelp”, e cila do t’u ofrojë mbështetje juridike dhe emocionale pa pagesë figurave publike që përballen me sulme dhe fushata urrejtjeje në internet.

Burimet: Zyra Federale e Policisë së Zvicrës, Gazeta Express dhe Telegrafi.

Scroll To Top