Salla zbrazet kur Netanyahu del në foltore – ai i quan delegatët “frikacakë moralë” dhe sulmon Erdoganin
Salla zbrazet kur Netanyahu del në foltore – ai i quan delegatët “frikacakë moralë” dhe sulmon Erdoganin Dhjetëra delegatë janë larguar nga salla e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të…

Salla zbrazet kur Netanyahu del në foltore – ai i quan delegatët “frikacakë moralë” dhe sulmon Erdoganin
Dhjetëra delegatë janë larguar nga salla e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në momentin kur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, doli në foltore.
Netanyahu vështroi largimin e tyre pa folur dhe priti derisa të qetësohej salla. Para se ta niste fjalimin, ai iu drejtua delegatëve të mbetur me një deklaratë të ashpër.
“Nëse ka mbetur ndonjë frikacak tjetër moral që nuk është larguar ende nga kjo sallë, le të largohet tani”, tha Netanyahu.
Kryeministri izraelit e ndërtoi fjalimin mbi kujtimet e Luftës Gjashtëditore të vitit 1967 dhe operacionit në Entebbe të Ugandës, ku ishte vrarë vëllai i tij, Yoni Netanyahu.
Pjesën më të madhe të fjalimit ai ia kushtoi Iranit, Hamasit dhe Hezbollahut. Netanyahu mbrojti operacionet ushtarake të Izraelit dhe tha se vendimi për të goditur objektet bërthamore të Iranit kishte qenë një nga vendimet më të lehta që kishte marrë si kryeministër, për shkak të rrezikut që, sipas tij, i kanosej Izraelit.
Në fjalimin rreth 40-minutësh, Netanyahu sulmoi ashpër edhe presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, të cilin e quajti “tiran”.
Ai e akuzoi Turqinë se strehon Hamasin dhe përhap, sipas tij, gënjeshtra kundër Izraelit. Netanyahu pretendoi gjithashtu se Ankaraja ka vrarë mijëra kurdë, ka pushtuar në mënyrë të paligjshme veriun e Qipros, kërcënon Greqinë dhe burgos gazetarë.
“Erdogani bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit dhe thotë se do të bëhet sundimtari i Jerusalemit. Jo, zotëri, nuk do të bëhesh. Ky është qyteti ynë”, deklaroi Netanyahu.
Fjalimi i kryeministrit izraelit u mbajt në një kohë kur Izraeli po përballet me izolim gjithnjë më të madh diplomatik për shkak të luftës në Gaza. Jashtë ndërtesës së OKB-së u zhvilluan protesta kundër operacioneve ushtarake izraelite, ndërsa Netanyahu hodhi poshtë akuzat për gjenocid dhe mbrojti veprimet e ushtrisë së vendit të tij.