Politikë

Shtatë ditë deri te “ora zero”: Kosova ende pa kandidat për president

Kosova ka hyrë në javën vendimtare për zgjedhjen e presidentit të ri, por partitë parlamentare ende nuk kanë arritur marrëveshje për emrin që do ta udhëheqë shtetin. Sipas afatit të…

Shtatë ditë deri te “ora zero”: Kosova ende pa kandidat për president
Dëgjo artikullin 2 min

Kosova ka hyrë në javën vendimtare për zgjedhjen e presidentit të ri, por partitë parlamentare ende nuk kanë arritur marrëveshje për emrin që do ta udhëheqë shtetin.

Sipas afatit të përcaktuar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi ka kohë deri më **6 tetor** për ta zgjedhur presidentin. Nëse dështon, vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.

Kandidatura e Bekim Sejdiut, e cila doli nga marrëveshja ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, u tërhoq më 14 shtator pasi nuk arriti ta siguronte mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, nuk prodhoi ndonjë emër të ri. Hamza konfirmoi se ishte diskutuar për presidentin, por jo për kandidatë konkretë.

“Nuk kemi shkuar te emrat, nuk i kemi diskutuar. Nëse kalon ligji, jemi të hapur edhe për tema të tjera”, deklaroi Hamza, duke e lidhur vazhdimin e bisedimeve me procedimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

LDK-ja ka shprehur gatishmëri për të kontribuar në zgjidhjen e ngërçit, por aktualisht nuk ka dalë me një kandidat të ri.

“Ne nuk jemi në situatë të themi se jemi pro ose kundër një kandidati, por jemi të gatshëm të kontribuojmë për zgjedhjen e presidentit”, ka deklaruar shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku.

Ndërkaq, AAK-ja ka refuzuar të takohet sërish me Kurtin për këtë çështje. Ramush Haradinaj e ka akuzuar kryeministrin se takimet me opozitën i ka përdorur vetëm sa për sy e faqe.

Kushtetuta përcakton se për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para nevojiten dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve. Në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota, ndërsa dështimi edhe në këtë fazë e çon vendin në zgjedhje të reja.

Afati po ikën, kandidati mungon dhe marrëveshja nuk shihet askund. Nëse partitë nuk lëvizin gjatë shtatë ditëve të ardhshme, Kosovës mund t’i hapet rruga drejt zgjedhjeve të katërta që nga shkurti i vitit 2025.

Scroll To Top