Rini e Kosovës, hallall ju qoftë gjaku i babës tem!
Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, në protestën masive të sotme në Prishtinë, ka kërkuar drejtësi të bazuar në prova dhe veprime konkrete institucionale për mbrojtjen e…

Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, në protestën masive të sotme në Prishtinë, ka kërkuar drejtësi të bazuar në prova dhe veprime konkrete institucionale për mbrojtjen e UÇK-së. Në fjalimin e tij, Haziri iu drejtua veçanërisht rinisë, ndërsa kujtoi babain e tij, Xhavit Hazirin, i cili mungon që nga viti 1998 dhe për fatin e të cilit familja ende pret përgjigje.
“Rini e Kosovës, hallall ju qoftë gjaku i babës tem! Hallall ju qoftë! Sepse kur ju shoh të lirë, në këmbë, duke mos harruar prej nga erdhi kjo liri, e kuptoj se sakrifica e tyre jeton te ju”, tha Haziri.
Ai theksoi se data e protestës, 1 tetori, ishte zgjedhur për të kujtuar qëndresën e studentëve që, 29 vjet më parë, dolën në rrugë për universitetin, dinjitetin dhe lirinë.
“Sepse mund ta ndalësh një marsh, por nuk mund ta ndalësh një popull kur vendos të ngrihet! 29 vjet më vonë, ne jemi përsëri në këto rrugë. Në një Kosovë tjetër. Në një Kosovë të lirë. Për një arsye tjetër. Por me një përgjegjësi që nuk ka ndryshuar: të mos heshtim!”, u shpreh ai.
Duke iu drejtuar brezit të pasluftës, Haziri tha se liria që gëzon sot rinia lidhet me sakrificën e familjeve të saj.
“Ju nuk e keni parë luftën me sytë tuaj, por jeni rritur me lirinë që doli prej saj. Në shumë prej shtëpive tuaja, historia nuk është fotografi në libër. Është fotografi në mur!”, tha ai.
Një pjesë të fjalimit, Haziri ia kushtoi mungesës së babait dhe dhimbjes së familjeve që ende presin të mësojnë fatin e më të dashurve të tyre.
“Për shumë prej jush, Xhavit Haziri është Hero i Kombit. Për mua, është babai im. Babai që mungon që nga viti 1998. Babai të cilit ende nuk ia di varrin ku mund t’ia vendos një lule”, deklaroi ai.
“Kur e dëgjoj fjalën UÇK, shoh babain tim. Shoh shokët e tij. Shoh nënat që pritën. Shoh fëmijët që u rritën pa baballarë. Shoh varret e dëshmorëve. Shoh gjyshen time Fahrijen që ende pret një lajm për djalin e saj. Dhe shoh edhe varret që ende mungojnë”, shtoi Haziri.
Duke folur për procesin në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ai kundërshtoi mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet përgjegjësia e udhëheqësve të UÇK-së. Haziri theksoi se protesta nuk synon të mbulojë krimet individuale.
“Ne nuk jemi në këtë shesh për t’ia mbuluar krimet individuale askujt! Kush ka bërë krim, le të përgjigjet! Por nuk lejojmë askënd që t’i fshehë krimet e vërteta të të tjerëve, duke ua hedhur barrën në supe udhëheqësve të UÇK-së!”, tha ai.
Haziri kërkoi që drejtësia të mbështetet në prova, ligj dhe standarde të barabarta, ndërsa përsëriti kërkesën për miratimin e ligjit.
“Ne jemi këtu për drejtësi të drejtë! Për drejtësi që bazohet në prova, në ligj dhe në standarde të barabarta — jo në politikë! Për ta bërë atë ligj realitet! Për ta mbrojtur UÇK-në me shtet e me vepra, jo me fjalë!”, deklaroi ai.
“Marshi ynë nuk është ikje nga drejtësia, por mburojë e të vërtetës nga gënjeshtrat!”, shtoi Haziri.
Ai tha se historia e luftës dhe e sakrificës për liri u përket të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Kjo është historia jonë! Nuk është historia e një krahine. Nuk është historia e një partie. Është historia e një populli të tërë!”, u shpreh ai.
Duke folur edhe si baba i dy fëmijëve, Epirit dhe Krenës, Haziri ngriti pyetjen se çfarë përgjigjeje do t’i japë brezit të ardhshëm për angazhimin e tij sot.
“Çka t’ju them kur një ditë të rriten, të më dalin përballë, të më shikojnë në sy dhe të më pyesin: ‘Çka bëre ti, babë, kur u prek gjaku i dëshmorëve? Çka bëre ti, babë, kur njerëzit e UÇK-së u dënuan në Hagë? Ku ishe ti, babë?’”, tha ai.
Sipas Hazirit, qëllimi i protestës është arritja e rezultateve konkrete.
“Qëllimi ynë nuk është t’ia bëjmë një alibi vetes! […] Babai juaj nuk doli në shesh vetëm për të protestuar. Babai juaj, bashkë me popullin e Kosovës, dolën, marshuan dhe fituan!”, u shpreh ai, duke treguar përgjigjen që dëshiron t’u japë fëmijëve të tij në të ardhmen.
Në përfundim, Haziri iu drejtua simbolikisht babait të tij, duke e mbyllur fjalimin me mesazhin:
“Babë, gjithë jetën jam rritur me mungesën tënde. […] Sot jam bërë vetë baba. Dhe sot e di sa e rëndë duhet të ketë qenë të lësh fëmijën tënd pas, për një liri që nuk e dije nëse do ta jetoje ndonjëherë. E nuk e jetove kurrë. Prandaj sot, para gjithë këtyre njerëzve, kam vetëm një gjë për të të thënë: Babë, më mirë pa ty, se pa atdhe!”
“Lavdi dëshmorëve të kombit! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Kosova nuk harron! Jo në emrin tim!”, përfundoi Haziri.