Putin i quan masat gjermane pas sulmit në Leipzig “gabim të rëndë”
Vladimir Putin i cilësoi si “gabim të rëndë” masat që Gjermania paralajmëroi pas tentativës për sulm me dron në aeroportin Leipzig/Halle.

Presidenti rus Vladimir Putin i ka cilësuar si “gabim të rëndë” masat ndëshkuese që Gjermania ka paralajmëruar pas tentativës për sulm me dron në aeroportin Leipzig/Halle.
Qeveria gjermane e ka bërë Rusinë përgjegjëse për incidentin, duke u mbështetur në hetimet policore, mënyrën e kryerjes së sulmit dhe të dhënat e shërbimeve të inteligjencës. Moska i ka mohuar akuzat.
Në një konferencë për media në Bishkek, Putin tha se reagimi i Berlinit bie ndesh me interesat e popullit gjerman dhe e lidhi ashpërsimin e kursit me fushatat zgjedhore që po afrohen.
Gjermania ka paralajmëruar mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Rusisë në Bon dhe forcimin e kontrolleve për hyrjen e shtetasve rusë në vend.
Putin foli edhe për luftën në Ukrainë, duke pretenduar se forcat ruse po përparojnë dhe duke përjashtuar negociatat me udhëheqjen aktuale ukrainase. Këto pretendime janë kundërshtuar nga vlerësime ukrainase dhe perëndimore, të cilat flasin për ngadalësim të avancimit rus në disa pjesë të frontit.