Protestuesit kërkojnë nga Kryesia e Kuvendit: Futeni nesër në rend dite ligjin për Specialen
Në natën e nëntë të protestës “Jo në emrin tim”, qytetarët e mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë i kanë drejtuar një kërkesë Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Ata kanë…

Në natën e nëntë të protestës “Jo në emrin tim”, qytetarët e mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë i kanë drejtuar një kërkesë Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Ata kanë kërkuar që në mbledhjen e nesërme të Kryesisë të futet në rend dite Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Gjatë protestës, reflektorët janë kthyer drejt objektit të Qeverisë, ndërsa qytetarët kanë kërkuar që projektligji të trajtohet me përparësi nga institucionet.
Kërkesa vjen në prag të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila është thirrur për nesër, por me pika të tjera të parapara në rendin e ditës.
Protesta “Jo në emrin tim” po mbahet çdo mbrëmje në kryeqytet, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.