Persona të armatosur kërcënojnë pronarin e një resorti në Vlorë, policia sekuestron pistoletë
Një grup personash të armatosur dyshohet se ka kërcënuar pronarin e një resorti në zonën e Radhimës, në Vlorë, duke shkaktuar ndërhyrjen e policisë dhe ngritjen e pikave të kontrollit.

Një grup personash të armatosur dyshohet se ka kërcënuar pronarin e një resorti në zonën e Radhimës, në Vlorë, duke shkaktuar ndërhyrjen e policisë dhe ngritjen e pikave të kontrollit.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, pronari e raportoi rastin rreth orës 11:30, duke thënë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të. Shërbimet policore u nisën drejt adresës dhe filluan kërkimet për personat e përfshirë.
Në afërsi të Pusit të Mezinit, policia konstatoi një automjet që po lëvizte me shpejtësi dhe u vu në ndjekje të tij. Drejtuesi humbi kontrollin dhe automjeti u aksidentua.
Brenda automjetit ndodheshin tre persona. Dy prej tyre pësuan lëndime nga aksidenti, ndërsa personi i tretë nuk pati probleme shëndetësore. Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri të llojit pistoletë.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për rindërtimin e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë. Të dhënat mbeten paraprake dhe autoritetet kanë paralajmëruar njoftim më të plotë pas veprimeve të para hetimore.