Nagip Krasniqi mes “telave” të drejtësisë: Prokuroria pretendon miliona euro dëm
# Dosja e rrymës që rëndon mbi Nagip Krasniqin: Prokuroria pretendon mbi 3.2 milionë euro dëm, ai mohon fajësinë Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar të hënën gjykimi ndaj…

# Dosja e rrymës që rëndon mbi Nagip Krasniqin: Prokuroria pretendon mbi 3.2 milionë euro dëm, ai mohon fajësinë
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar të hënën gjykimi ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Edhe para trupit të ri gjykues, Krasniqi është deklaruar i pafajshëm.
Trupi gjykues tani kryesohet nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, ndërsa anëtarë janë gjyqtarët Medie Bytyqi dhe Vesel Ismaili. Ndryshimi është bërë pasi gjyqtari Arben Hoti, i cili e kishte udhëhequr më parë procesin, është avancuar në Gjykatën e Apelit.
Në seancë u konstatuan si të lexuara fjalët hyrëse dhe dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna gjatë zhvillimit të deritanishëm të procesit.
Me kërkesë të avokatit Virtyt Ibrahimaga, trupi gjykues deklaroi se nuk kishte komunikuar me prokurorin Dren Paca, i cili gjatë pauzës ishte parë duke dalë nga hapësira ku ndodhen zyrat e gjyqtarëve. Edhe prokurori Paca mohoi të kishte zhvilluar komunikim me trupin gjykues, duke thënë se kishte kontaktuar vetëm me stafin e tij.
## Çfarë pretendon Prokuroria?
Aktakuza e Prokurorisë Speciale, e ngritur më 19 gusht 2024, e ngarkon Krasniqin se në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut i kishte mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” – HSE të tregtonte energji elektrike në Kosovë pa licencë të lëshuar apo të njohur nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, nga 15 tetori 2021 e tutje, Krasniqi kishte miratuar blerje të energjisë, kishte nënshkruar kontrata dhe kishte autorizuar vazhdimin e tregtimit me këtë operator, ndonëse dyshohet se ishte në dijeni se kompania nuk i plotësonte kushtet ligjore për të operuar në Kosovë.
Prokuroria pretendon se operatorit slloven i ishte mundësuar përfitim pasuror dhe shmangie nga detyrimet tatimore, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej 531 mijë e 920 euro e 79 centë.
Ndërkaq, dëmi i pretenduar ndaj KEK-ut arrin në 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.
Sipas aktakuzës, kjo mënyrë e veprimit dyshohet se i kishte diskriminuar edhe kompanitë e tjera që operonin të licencuara në tregun e Kosovës dhe u nënshtroheshin detyrimeve tatimore.
## ZRrE-ja kishte paralajmëruar KEK-un
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Zyra e Rregullatorit për Energji kishte reaguar disa herë përmes shkresave dhe komunikimeve zyrtare, duke kërkuar nga KEK-u që tregtimi i energjisë të bëhej në përputhje me ligjin.
Sipas ZRrE-së, aktivitetet e tregtimit të energjisë mund të ushtroheshin vetëm nga operatorë të licencuar, ndërsa licencat e lëshuara në shtete të tjera duhej të njiheshin zyrtarisht në Kosovë.
Më 19 gusht 2022, ZRrE-ja kishte monitoruar në kohë reale procesin e tregtimit dhe kishte konstatuar se KEK-u po vazhdonte bashkëpunimin me operatorë të palicencuar, pavarësisht vërejtjeve të mëhershme.
Prokuroria pretendon se grupi punues i KEK-ut ishte pajtuar që të respektoheshin përfundimisht qëndrimet e ZRrE-së dhe të ndërpritej tregtimi me kompanitë që nuk paraqisnin licencë apo dëshmi përkatëse.
Megjithatë, sipas aktakuzës, kjo përgjigje nuk i ishte përcjellë e plotë ZRrE-së. Prokuroria pretendon se ishin dërguar vetëm komentet kundërshtuese, të cilat mbronin qëndrimin se kompanive të licencuara në shtetet e tyre nuk u nevojitej licencë shtesë në Kosovë.
Sipas Prokurorisë, qëndrimi i dërguar ZRrE-së nuk përfaqësonte vendimin e plotë të grupit punues, por qëndrimin personal të Nagip Krasniqit.
Edhe Zyra Ligjore e KEK-ut, sipas aktakuzës, e kishte njoftuar Krasniqin se vendimet e ZRrE-së duhej të respektoheshin, pasi ky institucion është autoriteti kompetent për rregullimin e tregut të energjisë.
## Emaili që vazhdoi tregtimin
Në aktakuzë përmendet edhe një komunikim elektronik i Departamentit për Menaxhimin e Tregtimit me Energji, përmes të cilit Krasniqit i ishte kërkuar konfirmim nëse duhej të vazhdohej tregtimi me kompaninë HSE.
Krasniqi, sipas Prokurorisë, ishte përgjigjur: “Konfirmoj vazhdimin e tregtimit sipas përgjigjes që i është dërguar ZRrE-së”.
Pas kësaj përgjigjeje, tregtimi me operatorin slloven dyshohet se kishte vazhduar deri në pezullimin dhe ndërprerjen përfundimtare të kontratës gjatë vitit 2023.
Në të njëjtin komunikim zyrtar, sipas aktakuzës, ishin shkëmbyer edhe mesazhet: “Hahaha, ia ke prishur tripat” dhe “Luigji ka pasur me dhënë dorëheqje, i paska rënë pishman”.
Prokuroria pretendon se kompania sllovene nuk figuronte në listën e operatorëve të licencuar nga ZRrE-ja dhe nuk ishte e regjistruar si biznes në Kosovë.
Pas arrestimit të Krasniqit për një çështje tjetër, e cila nuk lidhet me këtë rast, KEK-u më 19 maj 2023 e kishte njoftuar HSE-në për pezullimin e bashkëpunimit. Kontrata më pas ishte ndërprerë për shkak të mungesës së licencës së lëshuar ose të njohur nga ZRrE-ja.
Nagip Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm edhe në seancën fillestare të 8 tetorit 2024, si dhe në seancën e mbajtur më 3 korrik 2025.
Ndaj tij, Prokuroria Speciale ka ngritur më 30 dhjetor 2024 edhe një aktakuzë tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
*Burimi: Betimi për Drejtësi*