Moska mohon përfshirjen në incidentin me dron në aeroportin e Leipzigut
Ambasada ruse mohon përfshirjen e Moskës, ndërsa autoritetet gjermane thonë se dyshojnë për rol të shërbimeve ruse në incidentin me dron në Leipzig.

Ambasada ruse në Gjermani ka mohuar akuzat e Berlinit për përfshirjen e Moskës në një tentativë sulmi me dron në Aeroportin e Leipzigut.
Përfaqësia diplomatike i cilësoi akuzat si të pabazuara dhe tha se ambasadori rus ishte thirrur në Ministrinë e Jashtme gjermane për t’iu komunikuar protesta zyrtare.
Autoritetet gjermane dyshojnë se incidenti i 5 gushtit, ku u përdor një dron i pajisur me eksploziv, ishte planifikuar nga shërbimet ruse të inteligjencës.
Gjermania ka njoftuar mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme ruse në Bonn deri më 18 shtator dhe ndërprerjen e marrëveshjes për funksionimin e qendrave kulturore e informative.
Ambasada ruse e cilësoi vendimin si përshkallëzim të marrëdhënieve dypalëshe dhe paralajmëroi pasoja, duke pretenduar se Berlini nuk ka paraqitur prova bindëse.
Moska dhe Berlini vazhdojnë kështu përplasjen diplomatike për incidentin, ndërsa përgjegjësia për sulmin mbetet objekt i pretendimeve të kundërta.