Maqedonci dhe ambasadori bullgar diskutojnë sigurinë dhe bashkëpunimin në mbrojtje
Ejup Maqedonci dhe ambasadori bullgar Hristo Kraevski diskutuan sigurinë dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në mbrojtje.


Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski, për të diskutuar sigurinë dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Në takim u trajtuan situata e përgjithshme e sigurisë, zhvillimet aktuale dhe rëndësia e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon.
Palët vlerësuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, duke theksuar nevojën për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, veçanërisht në siguri dhe mbrojtje.
Maqedonci e cilësoi Bullgarinë, si anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, një partner të rëndësishëm për Kosovën. Ai vlerësoi kontributin bullgar në kuadër të KFOR-it dhe mbështetjen për integrimin euroatlantik të Kosovës.
Ministri dhe ambasadori shprehën gatishmëri për të vazhduar angazhimin dhe për të avancuar bashkëpunimin drejt objektivave të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.