Kurti takohet me Mickoskin në New York, kërkon përshpejtimin e tunelit Prizren–Tetovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në New York me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit…

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në New York me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kurti bëri të ditur se në takim kanë vazhduar diskutimet për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e infrastrukturës dhe energjisë.
Në qendër të bisedës ishte përshpejtimi i procedurave për tunelin Prizren–Tetovë, të cilin Kurti e cilësoi si projekt me rëndësi të veçantë për qytetarët, turizmin dhe ekonomitë e të dyja vendeve.
Dy kryeministrat diskutuan edhe për zbatimin e marrëveshjes për thëngjillin, si dhe u pajtuan që puna për realizimin e projekteve të përbashkëta të vazhdojë.
Takimi vjen katër javë pasi Kurti dhe Mickoski morën pjesë së bashku në nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë.
**Postimi i plotë i Albin Kurtit:**
Katër javë më parë ishim bashkë në nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, ndërsa sot me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u takuam në New York në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Vazhduam bisedën për bashkëpunimin në infrastrukturë e në energji, përkatësisht për avancimin e projekteve të përbashkëta. Theksova rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për tunelin Prizren-Tetovë, si projekt me rëndësi të veçantë për qytetarët, sikurse edhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomitë e të dyja vendeve. Gjithashtu biseduam për zbatimin e marrëveshjes për thëngjillin. U pajtuam të vazhdojmë punën për realizimin e këtyre projekteve, të cilat kontribuojnë në ndërlidhjen rajonale dhe sigurinë energjetike.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përveçse fqinje, janë shtete mike dhe partnere, me interesa të përbashkëta për paqe, siguri, zhvillim dhe integrim euroatlantik.