Këshilli i Sigurisë kërkon respektimin e hetimeve pas rastit Hyseni
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shqipërisë kërkoi të hënën që institucionet të respektojnë pavarësinë e hetimeve të drejtësisë. Sipas njoftimit të Presidencës, thirrja u bë pas mbledhjes së drejtuar nga…

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shqipërisë kërkoi të hënën që institucionet të respektojnë pavarësinë e hetimeve të drejtësisë. Sipas njoftimit të Presidencës, thirrja u bë pas mbledhjes së drejtuar nga presidenti Bajram Begaj, në kohën kur ish-drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, po hetohet nga SPAK-u.
“Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”, thuhet në deklaratën e Presidencës.
Njoftimi nuk e përmend Hysenin me emër. Këshilli kërkoi gjithashtu që institucionet e sigurisë të mos konkurrojnë me njëra-tjetrën dhe që mosbesimi institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional.
Sipas Presidencës, në mbledhje morën pjesë kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, ministra dhe drejtues të institucioneve të sigurisë e të mbrojtjes. U ftuan edhe përfaqësues të SPAK-ut dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.
Sponsorët
![]() | ![]() | ![]() |


